RTSH 24 Live

Kulturë

98 vite nga lindja e Violeta Manushit, ikona e teatrit dhe kinemasë

06/03/2024

98 vite nga lindja e Violeta Manushit, ikona e teatrit dhe kinemasë

RTSH Korça përkujton sot një nga ikonat e Teatrit Popullor, ndër të parat aktore, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi, ashtu edhe në dramë, si në skenë, ashtu edhe në kinematografi, Violeta Manushin.

Ajo lindi më 6 mars të vitit 1926, në Voskopojë të Korçës dhe ndërroi jetë më 27 korrik të vitit 2007, në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë.

Violeta Manushi nuk u martua kurrë. Nuk u ankua kurrë. Nuk u mburr kurrë. Ndoshta ndaj dhe e donin të gjithë. Jo vetëm artdashësit, por gjithë kolegët. E çmonin. Vlerësonin çdo grimë a detaj rreth konceptit, dhe mënyrës se si ajo e lëshonte veten tek çdo rol, duke u mishëruar tek personazhi dhe më pas duke u bërë një me të.

Violeta Manushi ka një karrierë 60-vjeçare në themele të teatrit. Me 110 role të gdhendur e skalitur skenës dhe plot 16 të tjera në kinematografi. Ishte viti 1957 tek ‘’Orët e Kremlinit’’ rekordi i parë që do të thyente me interpretimin e tri roleve.

Më pas do të shkëlqente në rolet protagoniste më 1959 ‘’Gratë gazmore’’, ‘’Morali i zonjës Dulska 1958. Me shumë sukses një Olimbi të paharruar tek ‘’Karnavalet e Korcës’’ 1964, Zyhranë tek ‘’Fytyra e dytë’’ 1968, Nicën tek ‘’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’ 1971, Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej roleve. 

24 orë para se të mbyllte sytë, Violeta Manushi, në prani të të afërmëve, ka thënë fjalët e fundit nëpërmjet një diktofoni, i cili mbetet vlerë e shenjtë në arkivin e Fondacionit ‘’Nermin Vlora’’. “Sikurse e shihni, unë jam nisur për udhë që nuk është e gjatë. Nuk jam pishman që po shkoj. Jetova 81 vjet e kusur. Për më tepër, jetova me nder! Kemi qenë të varfër, por nuk kemi lypur. Kemi jetuar me punë dhe me nder, duke lënë pas emrin e mirë. Eja më puth, se po iki...”

RTSH