Vdekja e gjeniut të letrave Ismail Kadare la pas një hije trishtimi, veçanërisht tek ata që e deshën veprën dhe penën e tij. Mëngjesin e 1 korrikut, shkrimtari i madh do të mbyllte sytë përgjithmonë. Për botuesin Bujar Hudhri ky moment ishte i pabesueshëm.
Ismail Kadare ishte shumë korrekt thotë Hudhri, ai kishte një dashuri të pakufi për lexuesin, si të thuash ai ishte frymëzimi më i madh për shkrimtarin.
"Kur sunduesit grinden" është libri i fundit që Kadareja ka botuar, libër për të cilin ai u nominua edhe me Çmimin e rëndësishëm International Booker prize 2024.
I pyetur se cili është libri më i pëlqyer nga galeria e pafund e shkrimtarit, Hudhri pa asnjë dyshim thotë se "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" mbetet jo vetëm libri që e bëri të njohur kudo në botë, por edhe më i pëlqyeri.
Gjirokastra, vendlindja e shkrimtarit Kadare, qyteti që aq shumë e deshi, u rrënjos thellë në letrat e shkrimet e tij, rrugicat, kalldrëmet e çatitë e shtëpive jehuan edhe nëpër botë.
Ndarja e Kadaresë do të jetë vetëm fizike, ai la pas një trashëgimi të vyer.
Gjatë karrierës së tij, Kadare është nderuar me çmime e tituj të ndryshëm, teksa Nobelin nuk arriti ta merrte. Megjithatë Hudhri tregon se Kadareja me kalimin e viteve e humbi interesin për të.
Interesi i lexuesit tani që ai nuk është më në mesin tonë rritet. Nëse do të lexojmë apo jo diçka të re, në këtë moment edhe botuesi i tij rezervohet në përgjigje.
Ismail Kadare, ky gjeni që bëri për vete njerëzit anë e mbanë botës me anë të penës së tij do të mbetet i pavdekshëm ndër breza. Ai la pas një trashëgimi të paçmueshme dhe bëri të dëgjohet emri i Shqipërisë kudo në botë.
/rtsh.al/