RTSH 24 Live

Politikë

Tabaku dhe Bardhi propozim ligjor në Kuvend: Rimbursim të profesionistëve të lirë

18/09/2024

Tabaku dhe Bardhi propozim ligjor në Kuvend: Rimbursim të profesionistëve të lirë

Dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Taksën mbi Profesionet e Lira si një taksim antikushtetues dhe të padrejtë, grupi Parlamentar i PD-së, përfaqësuar nga deputetja Jorida Tabaku dhe kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, kanë ndërmarrë një iniciativë ligjore për rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

"Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë", tha Rabaku.

Deputetja kritikoi ashpër qeverinë për mosveprimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

"Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t'u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton" u shpreh ajo.

Gazmend Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare. "Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend," deklaroi Bardhi.

Ky hap tregon angazhimin e Partisë Demokratike për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të promovuar politika që favorizojnë rritjen ekonomike dhe sociale të vendit. Iniciativa është një tjetër premtim i mbajtur ndaj shtresës së mesme dhe dëshmi e vullnetit të opozitës për të qëndruar pranë tyre.

Pritet që propozimi ligjor të diskutohet në Kuvend, ku PD do të kërkojë mbështetjen e të gjithë deputetëve për miratimin e tij, në mënyrë që drejtësia dhe barazia të jenë themeli i politikave fiskale në vend.

/rtsh.al/