RTSH 24 Live

Kosovë

Sulmi në Banjskë, Qorrolli: Shpresojmë që 42 të akuzuarit të gjykohen në mungesë. Radoiçiq, i paarritshëm nga institucionet

2 orë para

Sulmi në Banjskë, Qorrolli: Shpresojmë që 42 të akuzuarit të gjykohen në mungesë. Radoiçiq, i paarritshëm nga institucionet

Gjykata Supreme e Kosovës pritet të vendosë nëse 42 nga personat e akuzuar për sulmin në Banjskë do të gjykohen në mungesë, ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Vigan Qorrolli, tha se shpreson për një përgjigje pozitive. Në një lidhje për RTSH24, Qorrolli tha se legjislacioni i Kosovës e lejon gjykimin ne mungesë në raste të tilla.

Në raste  të tilla siç janë krimet e luftës apo kundër njerëzimit apo që janë terroriste, parashikon që gjykimi të bëhet në mungesë. Ky është standard që e kanë edhe shtete perëndimore. Në rrethanat politike ku ndodhet Kosova dhe Serbia, për shkak të pamundësisë të një njohje de juro dhe pamundësisë së një marrëveshje apo traktati ndërkombëtar ku Kosova dhe Serbia do lejonin ekstradimin e personave të kërkuar njëra-tjetrës. Një rast i tillë, nëse do vazhdojë gjykimi për ata në mungesë. Pres që Gjykata Supreme të japë një opinionin pozitiv që të  bëhet gjykimi në mungesë. Do të donim që ata 45 persona të jenë të qasshëm për autoritete e Kosovës dhe të jenë në sallën e gjykimit. Legjislacioni i Kosovës e lejon gjykimin ne mungesë në raste të tilla”, u shpreh.

I pyetur për Millan Radoiçiq, i cili akuzohet se qëndron pas organizimit të sulmit të armatosur, Qorrolli tha se ai është i paarritshëm nga autoritete e Kosovës. E vetmja mënyrë që ai të gjykohet, për zëvendësministrin, mbetet dorëzimi vullnetarisht i Radoiçiq nga Serbia. Megjithatë ai pranoi se një gjë e tillë nuk ka asnjë gjasë të ndodhë.

 “Duhet ta pranojmë që është i paarritshëm për institucionet e Kosovës. Do të ishte mirë që Serbia ta pranojë, gjë që nuk do ta bëjë, tja dorëzojë autoriteteve të Kosovës. Radoiçiq duhet t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës, por pa një presion nga njësia ndërkombëtare që ta bëjë dorëzimin e tij, druaj nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion shumë më të madh, por kjo nuk po ndodh”, theksoi ai.

Radoiçiq dhe 44 persona të tjerë janë nën akuzë për veprimtari terroriste në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë. 42 prej të akuzuarve janë në arrati, ndërsa është ngritur dilema nëse ata mund të gjykohen në mungesë për vepra penale të terrorizimit e kundër rendit kushtetues.

/rtsh.al/