Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHKP) njofton se që nga e hëna ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal në të gjithë vendin.
Sipas një njoftimi të IKSHPK vaksinimi është duke u bërë në njësitë e vaksinimit të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse.
“Grupet me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: Punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar, personat mbi 65 vjeç dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Ekipet e vaksinimit sipas IKSHPK-së janë të përgatitura dhe të motivuara për një fushatë të suksesshme të vaksinimit.
“Ekspertët e IKSHPK-së, po mbajnë këtyre ditëve takime intensive me punëtorët shëndetësor dhe grupet e tjera për të ritheksuar rëndësinë e vaksinimit. Sivjet, furnizimi me vaksina të gripit sezonal është bërë më herët se çdo vit tjetër dhe për këtë sezon, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 000 doza”, thuhet në njoftim.
/ rtsh.al /