Një objekt banimi, në ndërtim e sipër, pronë e ish-kryetarit të Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, është sulmuar pas mesnatës, njofton REL.
Kështu tha kreu aktual i kësaj komune, Izmir Zeqiri, i cili e dënoi shpërthimin që ndodhi pak pas mesnatës.
“Apeloj tek organet e rendit që sulmuesit t’i kapin dhe të dalin para drejtësisë.... sulme të ngjashme të cilat po ndodhin kundër jetës dhe pronave të qytetarëve janë të papranueshme dhe nuk do të na ndalin në punën dhe angazhimet tona për rehati dhe rend dhe ligj”, shkroi ai në Facebook.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se policia doli në vendin e ngjarjes pas shpërthimit dhe pa se në një objekt banesor në ndërtim e sipër kishte shpërthyer zjarr, duke shtuar se nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar.
Autoritetet e Kosovës ende nuk e dinë shkakun e këtij shpërthimi.
Të shtunën, më 28 shtator, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ndodhi po ashtu një shpërthim, pasi në Zveçan u hodh një mjet shpërthyes në afërsi të një pike karburanti.
Një automjet policor pranë shtëpizës së dëmtuar në një pikë karburanti në Zveçan, veriu i Kosovës, si pasojë e një shpërthimi, 29 shtator 2024.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë ngjarjesh të tilla. Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës kryesisht të larta në muajt e fundit, për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.
/ rtsh.al /