Një 37-vjeçar, i mbajtur nën mbikëqyrje për akte terroriste, dyshohet se të shtunën u bë autori i një vrasjeje me thikë, duke plagosur edhe disa policë në qytetin e Myluzit, në lindje të Francës.
Dy policë morën plagë më të rënda pasi u përballën me të dyshuarin, një shtetas me prejardhje nga Algjeria, i cili duhet të ishte nën arrest shtëpie.
Prokurori i Myluzit tha se rreth orës 16:00 në qytet po organizohej një demonstratë në mbështetje të Kongos, kur autori i dyshuar nisi të sulmojë oficerët e policisë bashkiake ndërkohë që thërriste "Allah Akbar".
37-vjeçari u arrestua nga policia. Ai pritet të akuzohet për akte terroriste dhe tentativën e një atentati ndaj një funksionari publik.
I dyshuari është i regjistruar në listën e posaçme të Francës (FSPRT) për personat me prirje radikale terroriste.
Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi sulmin "terrorist", "islamist", dhe shprehu solidaritetin me të gjithë qytetarët, si dhe për të "çrrënjosur terrorizmin në vendin tonë". /AFP, Liberation
/rtsh.al/