Moska është goditur nga një sulm me dron mëngjesin e sotëm. Kremlini ka akuzuar Ukrainën si autore e sulmit, si pasojë e të cilit u dëmtuan dy ndërtesa dhe bëri që një nga aeroportet e kryeqytetit të mbyllet për pak kohë.
Një dron u rrëzua mbi distriktin Odintsovo, në perëndim të qendrës së qytetit, dhe dy të tjerë u neutralizuan por u përplasën me zyra, thotë ministria ruse e mbrojtjes.
Një person është plagosur, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass. Zyrtarët ukrainas nuk e kanë pranuar incidentin.
Kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë.
Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë se në cep të godinave janë dëmtuar disa xhama, me mbeturina të shpërndara në tokë.
Në një deklaratë për mediat, ministria e Mbrojtjes së Rusisë u shpreh se ky është një akt terrorist i hapur.
Sulmi me dron në orët e para të së dielës është i fundit për të cilin Moska ka fajësuar Kievin. Ndërsa Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë.
Moska, e vendosur rreth 500 km nga kufiri ukrainas, është shënjestruar disa herë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka nisur një seri sulmesh me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, duke përfshirë edhe kryeqytetin.
Më e dukshme ishte në maj, kur Rusia pretendoi se Ukraina përdori dy drone për të sulmuar Kremlinin - zemrën e qytetit. Ukraina mohoi të kishte sulmuar Kremlinin ose të kishte shënjestruar presidentin Vladimir Putin.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se Ukraina kreu gjithashtu një sulm me dron gjatë natës në Krime - territor i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014. Zyrtarët bënë të ditur se 16 dronë u shkatërruan dhe nëntë të tjerë u shtypën, transmeton BBC.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas thonë se një sulm me raketa ruse në qytetin e Sumy, në verilindje të vendit, ka lënë një person të vdekur dhe pesë të plagosur. Një ndërtesë u shkatërrua nga një shpërthim rreth orës 20:00 me orën lokale (17:00 GMT), sipas transmetuesit publik Suspilne. Zyrtarët thonë gjithashtu se dy persona u vranë në qytetin jugor të Zaporizhzhia të shtunën.
/rtsh.al/