RTSH 24 Live

Sociale

Studimi në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, dozat përforcuese rrisin mbrojtjen kundër COVID-19

28/01/2022

Studimi në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, dozat përforcuese rrisin mbrojtjen kundër COVID-19

Dy studime të reja nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dhënë dëshmi të tjera se dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 ulin rrezikun nga shtrimet ne spital dhe humbjet e jetëve.

Agjencia për Siguri Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) tha se dozat përforcuese ulin rrezikun e vdekjes nga varianti Omicron me 95 për qind te personat 50 vjeç e më të vjetër. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me gjetjet se njerëzit e të njëjtës grupmoshë, që janë të vaksinuar me dy doza, kanë rreth 60 për qind mbrojtje ndaj humbjes së jetës me Omicron gjashtë muaj pas dozës së fundit. Të dhënat e kësaj agjencie vazhduan të shfaqin nivele të larta të mbrojtjes kundër shtimeve në spital me 90 për qind te personat që marrin dozën përforcuese të Pfizer/BioNTech.

“Të dhënat janë të qarta, vaksina ndihmon që të na mbrojë të gjithë ne kundër efekteve të COVID-19 dhe doza përforcuese ofron nivele të larta të mbrojtjes ndaj hospitalizimit dhe vdekjeve te pjesëtarët më të ndjeshëm të shoqërisë”, tha Mary Ramsay, drejtoreshë për imunizim në agjensinë shëndetësore britanike.

Në Shtetet e Bashkuara, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) publikuar një studim të ri ku tregohej se doza përforcuese ofron 97 për qind mbrojtje te personat pa sëmundje kronike dhe 88 për qind te ata me sëmundje kronike. Ky studim ishte kryer vitin e kaluar, kur ishte dominues varianti Delta i koronavirusit dhe po ashtu, sipas CDC-s është një e dhënë më shumë se doza përforcuese forcon antitrupat te personat me sistem më të fortë imunitar.