RTSH 24 Live

Sociale

Ujëvara e Sotirës, këtë vit pritet të nisë rikonstuksioni i rrugës drejt saj

26/04/2024

Ujëvara e Sotirës, këtë vit pritet të nisë rikonstuksioni i rrugës drejt saj

Ujëvara e Sotirës, rrëzë malit të Tomorrit është një nga vendet më të bukura natyrore të Shqipërisë, e cila në periudhën e pranverës tërheq mjaft turistë.

Kjo ujëvarë, e ka marrë emrin Sotirë nga fshati ku edhe ndodhet në Gramsh. Vizitorët e parë të këtij viti, shprehen se është një destinacion i mrekullueshëm që ia vlen ta vizitosh e ku mund të organizosh kampingje apo të bësh piknik.

Por të tjerë vizitorë thonë se nuk është bërë mjaftueshëm për ta promovuar si destinacion turistik. Për këtë arsye Administrata e Zonave të Mbrojtura e ka nisur nga Gramshi fushatën për të promovuar resurset e Qarkut Elbasan.

Problem për të vizituar ujëvarën është infrastruktura rrugore totalisht e amortizuar. Bashkia e Gramshit jep lajmin e mirë se shumë shpejtë do të nisë rikonstruksioni i saj.

Është duke u përgatitur projekti  dhe shumë shpejt do të kalojë në procedura ligjore, për tu investuar me asfalt  nga qyteti i Gramshit në Ujvarën e Sotirës deri në dalje në Berat. Pra do të lidhet kështu jo vetëm qyteti me destinacionin, por edhe Gramshi me qytetin e Beratit dhe me zonat e tjera”, tha kryetari i Bashkisë, Besian Ajazi.

Ujëvara e Sotirës është vetëm një nga dhjetëra zona fantastike të Bashkisë së Gramshit. Kanionet e Holtës, Shpella e Kabashit, Liqeni i Zi tërheqin çdo vit mijëra turistë.

 

/rtsh/