Stadiumi "Besëlidhja" i Lezhës do të zhvendoset nga qyteti dhe zona ku ai ndodhet aktualisht do të kthehet në vendparkim nëntokësor dhe ambient për qytetarët.
Ky është plani i bashkisë i prezantuar nga kryetari Pjerin Ndreu. Sipas kryebashkiakut, stadiumi i ri do të ndërtohet në periferi të qytetit dhe do financohet nga qeveria së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ky investim është menduar si zgjidhje për t'i dhënë frymëmarrje qytetit dhe për të shmangur kaosin që krijohej gjatë stinës së verës nga mungesa e vendparkimeve.
"Nuk do të jetë një histori pallatesh. Nuk do të zëmë asnjë hapësirë të gjelbër. Nëse bëhet do të bëhet një park kreativ, një pedonale me rrugë biznesi, me filozofinë e Vitit të Ri, e aksesueshme për banorët. Mendoj se brenda vitit 2025 do i japim rrugë çështjes së parkimit nëntokësor. Lezhës i mungon dhe atje nuk është zonë arkeologjike, ndaj mundemi ta bëjmë," deklaroi z. Ndreu.
Zona ku ndodhet stadiumi ka një sipërfaqe të konsiderueshme, për ta kthyer në pedonale dhe ambient tërheqës për qytetarët, ndërsa bashkia garanton se aty nuk do të ndërtohen pallate siç është propaganduar së fundmi.
/rtsh.al/