RTSH 24 Live

Sociale

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme përfundon brenda vitit. Investim i qeverisë 14.8 milionë euro, përfitojnë 109 mijë pacientë

15/05/2021

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme përfundon brenda vitit. Investim i qeverisë 14.8 milionë euro, përfitojnë 109 mijë pacientë
 

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektuan sot punimet në Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme, pjesë e investimeve për modernizimin e QSUT, ku deklaruan se spitali i ri do të përfundojë brenda vitit.

Kryeministri theksoi se Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme ka një infrastrukturë ultramoderne të standardeve më të larta bashkëkohore, e cila do të hyjë në shërbim brenda vitit.

Ndërsa ministrja Manastriliu theksoi se “po ecim me ritme të mira dhe brenda dhjetorit përfundon ky spital”.

“Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme ka ecur në një nivel të ri të investimit, që tashmë qeveria shqiptare ka filluar prej 14.8 milionë euro. Interesante në këtë spital është lidhja që i bëhet kësaj godine me godinën aktuale, ku nëpërmjet dy urave lidhen direkt këto dy spitale, duke bërë një trup dhe duke mundësuar eficencën e shërbimeve”, tha Manastirliu.

Duke folur për kapacitetet e spitalit të ri, Manastirliu tha se ky spital do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të Brendshme.

“Këtu në total do të kemi 271 shtretër, të ndarë sipas shërbimeve të kardiologjisë, hematologjisë, endokronologjisë, gastrohepatologjisë, nefrologjisë, alergologjisë, dermatologjisë, etj. Ndërkohë që gjithë zhvillimi i këtij spitali është i projektuar që të integrohet me godinën e parë, duke ofruar kështu rienergjizim të gjithë kapaciteteve aktuale dhe gjithashtu dhe këtyre ambienteve të reja. Po krijojmë edhe një mënyrë të re të organizimit aktual të shërbimeve për Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme”, deklaroi Manastirliu.

Nga ndërtimi i Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe pajisjet mjekësore, përfitojnë 109 mijë pacientë.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër, për rritjen e eficiencës së shërbimeve.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.