RTSH 24 Live

Kulturë

Spektakli “Një natë sa një jetë”- ‘Nata dibrane’, zërat që gdhendën artin në emblemën e vlerave kombëtare    

25/02/2024

Spektakli “Një natë sa një jetë”- ‘Nata dibrane’, zërat që gdhendën artin në emblemën e vlerave kombëtare    

Një mbrëmje plot ngjyra zërash nga emra të njohur të muzikës, të veshjeve tradicionale, të koreografisë ka qenë “Nata Dibrane”, në spektaklin “Një natë sa një jetë’ të Blerta Tafanit në RTSH. Emra të njohur të botës së artit jo vetëm në Dibër, por edhe në mbarë Shqipërinë dhe rajon e më gjerë si këngëtarët Lirie Rasha, Melita Shehu, Vera Laçi, Dritan Jashari, koreografi Avni Ndreu dhe personalitete drejtues të jetës artistike të qytetit si Baftjar Çera dhe Igli Tomçini, sollën jo vetëm tinguj muzike dhe koreografie, por edhe vlera të traditës qytetare dhe folklorike të kësaj treve.

Që në fillim të spektaklit këngëtarja e njohur dibrane në të gjithë vendin, Lirije Rasha theksoi se Dibra ka shumë artistë të cilët kanë shkëlqyer në skenat kombëtare. Sipas saj, kaq shumë artistë që kishte dhe ka Dibra në shumë dekada sollën konkurrencë dhe për rrjedhojë edhe shumë cilësi pasi emra të njohur të muzikës shqiptare si Zef Çoba, Edmond Zhulali etj., kanë kompozuar këngë për vokalet e këngëtarëve dibranë, mes tyre dhe të vetë Rashës.

Ndërsa një prej emrave më të njohur në dekada të këngës dibrane dhe një zë shumë përfaqësues i muzikës dhe tingujve melodiozë të saj, Melita Shehu, theksoi në komentet e saj se në Dibër çdo gjë është e mrekullueshme dhe për rrjedhim edhe vetë kënga është brenda kësaj kornize që prodhon shumë emocione për këdo që e dëgjon.

Ndërsa koreografi Avni Ndreu nuk hezitoi të përkufizonte artin dibranë në të gjitha nivelet e tij thellësisht profesional dhe në nivel me trupat artistike më të mira në nivel profesional.

“Ansambli Dibra kishte shumë emër në të gjithë vendin. Kujtoj kur vinim në Tiranë për koncert duheshin valle, kërcimtarë, orkestrina. Kishim emra të mëdhenj si Arif Vladi, Lirije Rasha etj., shumë talente, kompozitorë, ansambël orkestër. Asnjë nuk kishte hyrë në TOB veç trupave profesioniste. Dyert u hapën për ne sepse ishim dhe jemi në nivel profesionistësh. Kishte shumë këngëtarë të talentuar dhe etno- kulturorë të gjerë. Spikat vallja dyshe e Dibrës që është e famshme. Në vallet e Dibrës s’ka shoqërim me këngë. Vetë vallja dibrane e nuseve është një lloj sfilate.”, tha Ndreu.   

 

Ndërsa ‘dibrani’ 24 karatësh Dëfrim Methasani, i cili është edhe një ndër emrat më të njohur në botën e komenteve dhe analizave sportive, e ka përkufizuar në mënyrë shumë të veçantë, gurrën e pashterrshme muzikore që buron nga Dibra dhe të emrave të mëdhenj të artit që ajo krijon sepse, sipas tij, “dibranët kanë lindur duke dëgjuar këngë”.

Dhe për ta ilustruar këtë aoi nuk ka ngurruar të marrë mikrofonin dhe të këndojë një këngë mjaft të njohur dibrane duke dëshmuar se nuk është vetëm një profesionist i botës së sportit, por edhe një pasionant i muzikës dibrane.

“Muzika dhe sporti i japin lezet jetës dhe njëra-tjetrës. Ne kemi lindur duke dëgjuar këngë.”, the Methasani.

/rtsh.al/