"Brezi pas brezi e trashëgojmë traditën e këngës dhe valles shqiptare" është koncerti që do të vijë në datën 13 mars në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Në kuadër të projektit "Edukim përmes artit", Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve ka përcjellë për muaj me radhë vlerat e kulturës dhe traditës shqiptare tek brezi i ri.
Nga veriu në jug, tradita do të bashkojë në një skenë të vetme, Shkollën Kombëtare të Baletit, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, shkollën "Qemal Stafa", shkollën "Ismail Qemali", shkollën "Gramoz Palushi", International Dance Academy Albania, "Virtuozët e Vegjël", Alba Folk, Liceun Artistik "Jordan Misja", trupën e valles dhe korin e Ansamblit Kombëtar.
"Brez pas brezi do të vijë si një projekt i radhës në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP). Do të jetë një program i ndërtuar në bazë të projektit tonë 'Edukim përmes artit', duke u mbështetur në interpretët e rinj, në talentet e reja të ardhura nga shkolla profesionale dhe joprofesionale," u shpreh drejtuesi i Ansamblit, "Mjeshtri i Madh" Sokol Marsi.
Në përmbyllje të këtij programi, artistët e Ansamblit Popullor, së bashku me brezat e rinj të talentuar, do të sjellin në skenën e TKOBAP-së një mbrëmje kushtuar pasurisë sonë folklorike.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/