RTSH 24 Live

Ekonomi

Speciale/ Korridori Tetë, 30 vite pas projektit, Televizioni Publik ndjek punimet në çdo kilometër

13/04/2024

Speciale/ Korridori Tetë, 30 vite pas projektit, Televizioni Publik ndjek punimet në çdo kilometër

Pas më shumë se 30 vitesh, për herë të parë infrastruktura e Ballkanit Perëndimor është pjesë integrale e korridoreve europiane

…tani në këtë pjesë të Shqipërisë ka zhurmë, trafik por edhe shumë kompani që punojnë për të realizuar një projekt të hershëm, por aq sa aktual: Korridorin Tetë Paneuropian!

Me Gëzim Nonin, Përgjegjës Sektori, në Menaxhimin e Kontratave në Autoritetin Rrugor Shqiptar, por edhe kolegët e tjerë të tij të drejtorisë së ndërtimit në këtë autoritet, është e lehtë të flasësh për nismën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të filluar ndërtimin e Korridorit Tetë me para publike. Qoftë edhe për një LOT të vetëm! Por tashmë edhe për të financuar, jo vetëm tre segmentet e para, që ekspertët i quajnë LOTE, por edhe për të tenderuar, me financim të garantuar, të tetë LOTET e korridorit Tetë.

“Aktualisht jemi në Lotin 1 të Korridorit 8 i cili është një prej prioriteteve kryesore që ka sot Autoriteti Rrugor dhe Qeveria. Ky lot i parë ka një distancë prej 5,06 kilometrash dhe është një Lot goxha i rëndësishëm”, u shpreh Ndoni.

Përfshirja në rrjetin TEN-T e bën projektin të financueshëm nga BE me grante dhe kredi me interesa të favorshme.

“ARRSH ka publikuar në sistemin elektronik 4 Lotët e reja të këtij segmenti rrugor. Parashikohet që kontrata e tyre të jetë në muajin qershor ku menjëhërë do të nisnin punimet në kantier, tha Adia Sefa, Drejtoria e Ndërtimit, ARRSH.

Korridori 8 u projektua si pjesë e Rrjetit Pan-Europian në Konferencën e Kretës në vitin 1994, me qëllimin që të financohej dhe të përfundonte në 15 vitet e ardhshme, por më vonë, projekti mbeti në hije, për shkak të zhvillimit të rrjeteve Lindje-Perëndim pak më lart se Mesdheu, të nxitura nga investimet e Kinës në infrastrukturë dhe përparësisë që morën rrjetet rrugore Veri – Jug.

Ekspertët që shoqëruan grupin e xhirimit të RTSH thanë se në pjesën shqiptare, pika dalëse në Maqedoninë e Veriut e Korridorit 8 do të jetë ura e Bushtricës në Përrenjas, për të shmangur lartësinë që krijon dalja në Qafë-Thanë.

Maqedonia e Veriut përparon me Korridorin VIII dhe punimet përfundojnë më 2027

Në Shqipëri janë duke u realizuar punimet në tre Lote të autostradës, qeveria ka tenderuar edhe katër Lote të tjerë.

Punohet me intensitet, disa herë në kushte të vështira të trafikut, por synohet të kapen afatet e kontratave. Shumë shpejt mjetet motorike do të detyrohen të zhvendosen në pjesën e asfaltuar, këtu ku po lëviz edhe mjeti i RTSH për t’ia lënë rrugën ekzistuese realizimit të punimeve të projektit në pjesën tjetër të karrezhatës rrugore.

Të shpresojmë për ecuri të mirë të punimeve, për ta gëzuar edhe këtë magistral të ri rrugor që e lidh Shqipërinë me tërë korridoret rrugore europiane.

Tani me rrugë automobilistike dhe vetëm pak më vonë edhe me hekurudhë...

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/