RTSH 24 Live

Ekonomi

Begaj në Panairin e Bujqësisë në Lushnjë: Më shumë mbështetje për fermerët dhe blegtorët

26/04/2024

Begaj në Panairin e Bujqësisë në Lushnjë: Më shumë mbështetje për fermerët dhe blegtorët

Edicioni i trete i panairit " Ditët e Bujqësisë " në Lushnjë është vizituar këtë të premte nga presidenti Bajram Begaj. Ai ka parë nga afër stendat e pjesmarrësve në këtë panair duke treguar interes të veçantë për ekspozimet e tyre. Por teksa nënvizoi rëndësinë e organizimeve të tilla, presidenti tha se duhet bërë shumë më tepër për sektorin e bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve.

Bujqësia, pyjet dhe peshkimi ruajnë rol të rëndësishëm në mirëqenien e popullsisë dhe në punësim. Është fakt se prodhimet ushqimore shqiptare janë bërë më konkurruese në tregjet vendas dhe të huaj. Por situata është larg pritshmëritë në këtë sektor. Të dhënat tregojnë se po rritet me ngadalë se sa ekonomia në tërësi. Bujqësia përballet me sfidën e demografisë. Kryesisht për shkak të urbanizmit të shpejtë dhe emigracionit. Largimi nga fshati vjen nga pamundësia, vështirësia dhe mendësia për një mënyrë jetese", tha Begaj.

Presidenti ndërkohë shtoi thirrjen për institucionet bankare që të kreditojnë më shumë sektorin e bujqësisë.

“Ky sektor duhet mbështetur jo vetëm përmes politikave të qeverisë, por dhe veprimeve të sektorit privat. Nuk mund të ketë zhvillim në kapitalizëm pa patur investime dhe implementim”, shtoi ai.

Presidenti kërkoi gjithashtu më shumë vëmendje edhe nga institucionet shtetërore sa i përket ndihmës apo krijimit të lehtësirave në infrastrukturë duke kujtuar se është një sektor që kontribuon rreth 19 përqind në prodhimin e brendshëm bruto.

/rtsh/