RTSH 24 Live

Ekonomi

PD, Teliti: Taksimi i profesioneve të lira, Rama kërkon të eliminojë shtresën e mesme

04/05/2024

PD, Teliti: Taksimi i profesioneve të lira, Rama kërkon të eliminojë shtresën e mesme

Partia Demokratike kundërshtoi të shtunën nismën e qeverisë për taksimin e profesioneve të lira, duke e komentuar nismën në fjalë si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama, për të “eliminuar shtresën e mesme”.

Këshilltari ekonomik në PD, Dorjan Teliti, në një deklaratë për mediat, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të pranojë kërkesat e opozitës për shfuqizimin e këtij ligji.

Sipas tij, është fakt i njohur se Shqipëria që prej vitit 2014 ka nivelin më të lartë të taksave në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Është gjithashtu fakt, se këto taksa kanë qenë ndër arsyet kryesore të falimentimit të dhjetëra mijëra bizneseve, largimit të shumë sipërmarrësve të huaj dhe gjithashtu një ndër pengesat kryesore për thithjen e investimeve të huaja direkte.”, tha Teliti.

Sipas tij, qeveria në vend që të bëjnë hapa pas nga këto politika të gabuara e ti shpallin luftë krimit të organizuar, klientelizmit dhe korrupsionit 100%, të denjë për rekordet Guinness, që po gërryen ekonominë e vret konkurrencën, me vendimin për një taksim të ri ndaj profesionistëve të lirë.

“Rama shkeli, jo për herë të parë, zotimin para shqiptarëve për taksim zero për çdo biznes të vogël deri në vitin 2029. Faturat e kripura disa milionëshe të këtij tatimi ndaj 29 mijë profesionistëve, kanë mbërritur në dyert e tyre. Ky vendim i qeverisë së Edi Ramës ka në prapavijë interesat e tij politike dhe është eliminimi i shtresës së mesme. Partia Demokratike i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese, që të pranojë kërkesat e opozitës dhe grupeve të interesit për shfuqizimin e këtij taksimi, i cili rrezikon të falimentojë biznese dhe të shtojë shqiptarë në radhën ndërkohë të gjatë të shpopullimit të vendit.”, deklaroi Teliti.

/rtsh.al/