Lista e viktimave nga përmbytjet në Spanjë po zgjatet. Sipas BBC deri tani regjistrohen 95 humbje jete. Të paktën 92 persona janë regjistruar në provincën e Valencias, siç u konfirmua mbrëmjen e së mërkurës (30/10) sipas numërimit të fundit, ndërsa dhjetëra janë të zhdukur. Megjithatë, autoritetet kanë frikë se shifra përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë.
Kryeministri Pedro Sanchez i bëri thirrje popullatës që “të vazhdojë të jetë vigjilente. Dhjetëra njerëz e kanë kaluar natën në Valencia mbi kamionë apo makina, në çatitë e dyqaneve apo pompave të benzinës ose të bllokuar në automjetet e tyre në rrugë të mbushura plot.
Shiu ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike duke prekur 155,000 njerëz, mbyllje të rrugëve në shumë provinca në lindje dhe juglindje, ndërsa shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Valencias dhe korridorit mesdhetar për në Barcelonë do të qëndrojë i mbyllur gjatë gjithë ditës.
/rtsh.al/