Të dhënat zyrtare këtë mëngjes tregojnë se prodhimi gjerman u tkurr përsëri në tremujorin e tretë, ku ka rënie edhe në fushën e industrisë duke e rrezikuar ekonominë më të madhe të Evropës të shkojë drejt recesionit.
Nga ana e saj, Ministria gjermane e Ekonomisë ka thënë se pret “një rënie të lehtë” pasi produkti i brendshëm bruto është tkurrur me 0.1 për qind në tremujorin e dytë.
Por, sipas ekspertëve ky mund të përkufizohet, si një recesion teknik në dy tremujorë të njëpasnjëshëm tkurrjeje.
“Ekonomia gjermane nuk ka gjasa të ketë dalë nga faza e saj e dobët në tremujorin e tretë”, tha ministria në parashikimet e saj të vjeshtës këtë muaj, transmeton The Guardian.
Analistët e anketuar nga FactSet ishin pak më optimistë, duke parashikuar një stanjacion të ekonomisë gjermane.
Ndërkaq, GDP e Francës është rritur me 0.4% në tremujorin e tretë të këtij viti. Referuar të dhënave të reja nga organi statistikor INSEE tregojnë se lojërat Olimpike nxitën konsumin me 0.5% në tremujorin e tretë pas një ecurie të qëndrueshme në tremujorin e dytë.
INSEE thotë se PBB-ja “u përshpejtua në mënyrë të moderuar në tremujorin e tretë… e rritur nga Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Parisit”, duke shtuar se “kërkesa e brendshme rifitoi njëfarë vrull, e nxitur nga një rikthim në konsumin e familjeve (+0.5% pas +0.0%).”
Në të kundërt, formimi i kapitalit fiks bruto vazhdoi të bjerë (-0.8% pas -0.1%). Në përgjithësi, kërkesa e brendshme dha një kontribut pozitiv në rritjen e PBB-së këtë tremujor: +0,2 pikë pas +0,1 pikë në TM2 2024.
/rtsh.al/