RTSH 24 Live

Euro 2024

Spanja në finalen e Berlinit të Euro 2024, mposht Francën me përmbysje

09/07/2024

Spanja në finalen e Berlinit të Euro 2024, mposht Francën me përmbysje

Spanja është skuadra e parë finaliste e Kampionatit Europian pasi fitoi 2 -1 me përmbysje ndaj Francës në ndeshjen e luajtur në Munih.

Megjithëse “Gjelat" kaluan në avantazh me anë të R. Kolo Muani në minutën e 9, francezët nuk arritën të ruajnë epërsinë, duke pësuar 2 gola me anë të 16-vjeçarit Lamin Yamal dhe Dani Olmos.

Baraspesha do të vendosej nga 16-vjeçari Lamin Yamal, që me anë të një goditjeje nga jashtë zonës shtangu portierin francez, Mike Maignan. Me këtë gol, Yamal bëhet golashënuesi më i ri që shënon në historitë e Kampionatit Europian dhe atij Botëror.

Por spanjollët nuk u mjaftuan me barazimin duke kërkuar golin e dytë dhe e arrijnë me anë të Dani Olmos në minutën e 25, teksa fillimisht u cilësua si autogol nga mbrojtësi francez Jules Koundé, por më pas UEFA korrigjoi gabimin duke ia akorduar golin lojtarit spanjoll.

Në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian që u luajt në Munih, në atë që u cilësua si finale e parakohshme e turneut pas asaj me Gjermaninë, Franca nuk arriti dot të barazonte rezultatin për të dërguar ndeshjen në shtesë.

Nga ana tjetër, Spanja arriti të administrojë lojën duke ruajtur të paprekur portën pavarësisht inkursioneve të francezëve, ku më i rëndësishmi ishte ai i Kilian Mbape por që lojtari francez e dërgoi topin mbi portën e "La Rojas".

Më pas ishin spanjollët që menaxhuan ndeshjen duke bërë që edhe në shtesën prej 5 minutash francezët të mos rrezikonin dot seriozisht për të barazuar shifrat.

Në këtë mënyrë, Spanja është finalistja e parë e Kampionatit Europian që po mbahet në Gjermani dhe pret nesër se cila do të jetë skuadra që do të dalë fituese nga sfida Angli vs Holandë, për t’u ndeshur ditën e diel më 14 korrik, në finalen e madhe të Berlinit.

/rtsh.al/