RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK jep pretencën për Vangjush Dakon, kërkon dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre

12/11/2024

SPAK jep pretencën për Vangjush Dakon, kërkon dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre

Pas një viti e 3 muaj nga arrestimi, SPAK kërkoi në Gjykatë shpalljen fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Prokurori Sotir Kllapi lexoi pretencën në sallën ku Dako refuzoi të ishte i pranishëm, duke kërkuar për ish zyrtarin e lartë dënimin me 4 vite burgim dhe në aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimin e tij me 2 vite e 8 muaj. Në pretencën e përgatitur prej 54 faqesh, prokurori i SPAK  tha se Dako e ka shpërdoruar detyrën në 2 raste.

Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh në datën 14 tetor 2014, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë dhe duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës.

Rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, projekti “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Që nga nisja e hetimit, Dako qëndroi 8 muaj në paraburgim dhe 7 muaj të tjerë po qëndron nën masën e arrestit në shtëpi. Për ndërtuesin Fiqiri Farruku, të akuzuar për falsifikim dokumentesh, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi kërkoi 3 vite burg, dy vjet me aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Duke marrë në konsideratë moshën, gjendjen shëndetësore, dënimi t’i pezullohet.

Ndërkohë për Fatmir Ejupin, ish-topograf i akuzuar për falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 2 vite burg. Gjykata caktoi që më 21 nëntor të dëgjojë palën mbrojtëse dhe më pas të japë edhe vendimin për Dakon dhe personat e tjerë në dosje.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/