RTSH 24 Live

Politikë

Sovraniteti i Urdhrit Bektashian, Meta: Ide e pakonsultuar, precedent i rrezikshëm për rajonin

2 orë para

Sovraniteti i Urdhrit Bektashian, Meta: Ide e pakonsultuar, precedent i rrezikshëm për rajonin

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta e ka cilësuar si një shashkë politike që hidhet për qëllime elektorale projektimin për krijimin e një Sovraniteti të Urdhrit Bektashian, për të pasur sovranitetin e tyre brenda Shqipërisë.

Meta tha se kjo projekt-ide është i pakonsultuar dhe i paqartë se si është menduar, ndërsa shton se shkon në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Grabitësi më I madh në këto 34 vite të pronave të Bektashinjve dhe të gjithë komuniteteve fetare në vendin tonë , hodhi idenë për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” në prag të zgjedhjeve  elektoral në mënyrë tërësisht të njëanshme, të pakonsultuar, të paqartë dhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës që sanksionon se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”, kjo është një shashkë njëkohësisht, për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tmerrshme korruptive ku Edi Rama është përfshirë vet si dhe problemet shumë të rënda me të cilat përballet Shqipëria nga keqqeverisja e tij”, tha Meta në një deklaratë për mediat.

Meta tha se ky projekt mund të kthehet në një precedent të rrezikshëm për rajonin, ku ende gumëzhijnë idetë ogurzeza të ndryshimit të kufijve.

“Çdo përpjekje politike dhe diplomatike për të promovuar jo vetëm një nga vlerat tona kombëtare, tolerancën e mrekullueshme ndërfetare, por  edhe për të identifikuar Shqipërinë me qendrën botërore të bektashizmit është e mirëpritur, por kurrsesi ajo jo vetëm nuk mund të keqpërdoret në funksion të axhendave elektorale të momentit apo okulte, aq më tepër kur nuk janë të konsultuara dhe të mirëstrukturuara dhe kur rrezikojnë të kthehen në një precedent të rrezikshëm për rajonin tonë, ku ende gëlojnë idetë ogurzeza dhe fantazmat e ndryshimit të kufijve, një nga nxitësit kryesorë, ka qenë dhe mbetet Edi Rama, me qëllim destabilizimin dhe cenimin e stabilitetit dhe paqes të arritur me aq shumë gjak dhe sakrifica”, u shpreh Meta.

Kjo ide për Sovranitetin e Urdhrit Bektashian u fol edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij ën OKB, ku tha se këto plane diskutohen në kuadër të ruajtjes së vlerave të vendit për tolerancën fetare. Edhe Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret këtë nisëm duke thënë se “përçohet mesazhi i paqes dhe tolerancës duke shërbyer si një zë global për Islamin e moderuar”.

/rtsh.al/