RTSH 24 Live

Kosovë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestojnë për identitet e dinjitet

3 orë para

Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestojnë për identitet e dinjitet

Shqiptarët e Luginës së Preshevës zhvilluan sot një protestë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga qeveria e Serbisë.

Me moton “Për identitet dhe dinjitet” ata po kërkojnë njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova.

Në mesin e protestuesve ishin kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Lutfiu deklaroi se protestat do të vazhdojnë me të njëjtat kërkesa, që u bënë të njohura edhe në protestën e mbajtur më 12 gusht në Bujanoc.

Ndalja e menjëhershme e pasivizimit të adresave tendencë e hapur për spastrim etnik, njohja e diplomave të të gjithë të rinjve të Preshevës të cilët i kanë përfunduar studimet në Kosovë, punësimi i kuadrove në institucionet shtetërore dhe një varg të drejtash të cilat na mohohen si komunitet shqiptar,” tha ai.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Lutfiu ka theksuar se ky marshim është në mbrojtje të të drejtave themelore të shqiptarëve.

Të gjithë bashkë do të përçojmë zërin e çdo shqiptari të shtypur, diskriminuar, të pasivizuar dhe të shkelur nga Serbia,” ka deklaruar ai.

Ai ka shprehur kërkesat kryesore të protestës, përdorimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe për gjimnazistët shqiptarë dhe njohjen e diplomave të universiteteve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ai ka bërë thirrje për mundësi të barabarta në punësim për shqiptarët e Luginës.

/rtsh.al/