RTSH 24 Live

Ekonomi

Sot takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2025, Rama seri takimesh në Davos

3 orë para

Sot takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2025, Rama seri takimesh në Davos

Kryeministri Edi Rama nis këtë të hënë (20 janar) një seri takimesh dhe aktivitetesh në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror 2025, i cili mbahet në Davos – Klosters, në Zvicër.

Së bashku me liderë nga vende të tjera të botës, Kryeministri Edi Rama është pjesëmarrës në disa tryeza të rrumbullakëta, si dhe panelist në sesione të ndryshme që synojnë të nxisin një frymë bashkëpunimi dhe optimizmi konstruktiv me objektivin e formësimit të Epokës Inteligjente të ardhshme, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse

Kryeministri gjithashtu do të takohet përgjatë tri ditëve të Forumit me homologë, liderë të biznesit, drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse në Forum.

Ky takim vjetor mbledh liderët globalë për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale. Këto përfshijnë reagimin ndaj goditjeve gjeopolitike, stimulimin e rritjes për të përmirësuar standardet e jetesës dhe administrimin e një tranzicioni të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë.

Me misionin “Ne bashkojmë qeverinë, bizneset dhe shoqërinë civile për të përmirësuar gjendjen e botës.” - këtë vit Forumi bën bashkë rreth 3000 liderë, nga mbi 130 vende, mes të cilëve, 350 liderë qeveritarë, duke përfshirë 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.

Takimi i 55-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, me diskutime që fokusohen në pesë shtylla thelbësore, të ndërlidhura, me rëndësi të posaçme për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.

/rtsh.al/