Shqipëria ka nisur vetëm pak muaj më parë bisedimet mbi kapitujt e parë për anëtarësim në BE, por ritmet e çeljes dhe pritshmëritë për t'i mbyllur qëndrojnë deri tani në nivele rekord.
Procesi i integrimit europiane është dominuar nga diskutimet me natyrë politike ose ligjore, ndërkohë që kapitujt e zhvillimit ekonomik janë nga më të vështirët.
Ekspertët e ekonomisë mendojnë se kjo ecuri, që do të prekë edhe bisedimet për këta sektorë, duhet të shoqërohet me diskutime në grupet e interesit për të realizuar atë që synon integrimi.
Akademiku Ardian Civici i tha RTSH-së se identifikimi dhe diskutimi publik i çështjeve ekonomike në raport me legjislacionin e BE-së është detyrë e shtruar për zgjidhje.
“Tre janë drejtimet kryesore që do të përbëjnë dhe thelbin e këtyre negociatave. Së pari ka të bëjë me një problem madhor në lidhje me atë që quhet konvergjenca ekonomike. Pra, fillimi i përshtatjes dhe rikonstruktimit të ekonomisë shqiptare në funksion të produktivitetit dhe eficensës të saj për tu përafruar me të paktën e tregueseve mesatar të ekonomisë së vendeve europiane”.
Nga ana tjetër vetë klima e biznesit është një fushë e hapur për ndryshimet e pritshme të legjislacionit.
“Të gjithë kapitujt që kanë të bëjnë me atë që quhet klimë biznesi apo se si funksion biznesi që nga pjesa ligjore dhe shumë element të tjerë funksional që duhen të përshtaten me rregullat e BE-së. ku përfshihen natyrisht dhe marrëdhëniet tregtare dhe integrimi ekonomik dhe integrimi i biznesit”.
Një raport i tretë lind nga referenca e politikave ekonomike të vendit përkundrejt objektivave europiane.
“Detyrimet që ka Shqipëria apo fillimin e integrimit të përshtatjes me politikat kryesore ekonomike, industriale, tregtare dhe të zhvillimit të qëndrueshëm që ka vetë BE-ja sepse do fillosh të kuptosh që kjo ekonomi do të bëhet pjesë e kësaj ekonomie të madhe europiane. Në gjithë dokumentat e veta BE-ja vazhdimisht përcakton linjat kryesore strategjike të politikave ekonomike, industriale, energjetike apo dhe politika të tjera që lidhem me negociatat që përfshijnë ekonominë.”
Akademik Civici mendon se praktika e integrimit për kapitujt ekonomikë duhet të dalë tej tryezave të ekspertëve dhe të komunikohet me grupet e interesit.
“Akoma nuk jemi në atë nivel që duhet në një këndvështrim më të gjerë. Nuk bëhet fjalë këtu për grupet negoiciatore që natyrisht janë të përgatitura dhe e dinë për çfarë flasin dhe për çfarë negociojnë por përgjithësisht edhe në opinionin shqiptar pjesa e integrimit që lidhet me ekonominë është parë si një mënyrën për të thithur më shumë fonde apo për të përfituar nga disa politika tregtare.”
Po ashtu, e rëndësishme në këtë moment përmbajtja ndaj afateve.
“Afatet kanë lidhje me përshtatjen e gjithë sistemit ligjor dhe institucional. Ndryshimet ekonomike që priten nga këto ndryshime, natyrisht që do kërkojnë dhe kohë më të gjatë dhe më shumë financim dhe politika më shumë adekuate ekonomike dhe financiare.”
Shqipëria po zbaton për herë të parë një proces rekord në kohë të kryerjes së negociatave, gjë që e ka vënë aktualisht në të njëjtin volum negocimi me Malin e Zi, që i ka nisur bisedimet 12 vjet më parë.
/rtsh.al/