Fushata zgjedhore në Kosovë mbylli javën e saj të parë dhe vëzhguesit e pavarur, por edhe zyrtarët zgjedhorë, shprehen se tonet janë të ashpra mes palëve dhe ky është vetëm fillimi.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë organet e rendit ato që kanë punën më të madhe në monitorimin e situatës, ndërkohë që qëllimi i kësaj gjuhe është mobilizimi i mbështetësve në çdo skaj, sipas vëzhguesve.
"Në baza ditore raporton policia te KQZ-ja lidhur me tubimet që mbahen nga parti të ndryshme politike. Procesi në vijim do të vazhdojë edhe me printimin e fletëvotimeve të miratuara tanimë," tregon kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
"Kjo fushatë, për dallim nga ato të organizuara në proceset e kaluara zgjedhore, është më dinamike, më intensive dhe me më shumë raste të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes mes kandidatëve të partive," thotë Eugen Cakolli nga Koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim" (DnV).
Nga ana tjetër vihet re një rritje e shpenzimeve financiare, por për herë të parë KQZ-ja do të monitorojë harxhimet e partive politike, megjithëse format e fushatës janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe përqendrohen në rrjete sociale.
"Nuk është në kompetencën tonë të monitorojmë si e bëjnë partitë fushatën politike. Në kompetencën tonë, që ndodh për herë të parë, është monitorimi i shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore," thotë z. Radoniqi.
"Ajo çfarë bie në sy është një lloj trendi i fokusimit të fushatave nëpër rrjetet sociale për shkak të penetrimit të madh të internetit te qytetarët e Kosovës, me mbi 98 për qind shfrytëzim. Subjektet politike kanë ndërruar qasje në këtë drejtim. Kemi kandidatë që janë duke shpenzuar shuma mjaft të mëdha në rrjetet sociale. Vetëm përgjatë javës së fundit janë shpenzuar mbi 25 mijë euro," sqaron z. Cakolli.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë të drejtë vote afro 1 milionë shtetas të Kosovës dhe mbi 104 mijë prej tyre jetojnë në diasporë. Ata do të zgjedhin kuvendin e ri me 120 deputetë.
Gazetar: Noljan Lole
/rtsh.al/