RTSH 24 Live

Kronika

Sot shqyrtohen në KAS ankimimet për qarkun e Elbasanit

27/05/2021

Sot shqyrtohen në KAS ankimimet për qarkun e Elbasanit

Sot, në orën 10:00 pritet të mblidhet Komisioni i Ankimeve dhe Sanksionave. Mësohet se edhe sot, do të vijohet me shqyrtimin e ankesave të partive opozitare, si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe koalicionit Partia Demokratike Aleanca për Ndryshim.

Dje u mbyll rinumërimi i 108 kutive në qarkun e Durrësit, ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka arritur që të marrë mandatin që pretendonte. Pas më shumë se 10 orësh rinumërim në sallën ku mbahej mbledhja e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksionave (KAS), 8 grupe kanë hapur 108 kuti.

Nga procesi i rinumërimit, nga kutitë e hapura, 60 vota kanë dalë minus pasi janë konsideruar si të parregullta. LSI ka humbur vetëm 1 votë, ndërsa PD dhe PS, kanë dalë respektivisht me 38 dhe 26 vota minus.

Më herët janë hapur edhe 114 kuti në qarkun e Beratit, pas rinumërimit të të cilave, LSI rikuperoi 15 vota nga 77 që i duheshin për t’i marrë mandatin Partisë Socialiste, duke mos e ndryshuar rezultatin. KAS ka vulosur vendimin duke rrëzuar kërkesat e PD-së dhe LSI-së për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Shkodër. Ndërkohë pritet shqyrtimi i katër qarqeve të tjera, duke nisur nga sot me Elbasanin.