Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian konfirmuan diplomatin danez Peter Sorensen si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi.
Sorensen është i zgjedhuri i kryediplomates së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për të zëvendësuar diplomatin sllovak Miroslav Lajçak, të cilit i përfundon mandati më 31 janar.
Do të jenë ministrat e Jashtëm të bllokut që do të japin miratimin përfundimtar për Sorensen të hënën, më 27 janar, në mënyrë që 57-vjeçari të nisë mandatin e tij nga 1 shkurti.
Danezi Sorensen ka një përvojë të gjatë pune në Ballkanin Perëndimor të shtrirë në tri dekada. Ai është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.
Më herët 57-vjeçari ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnjë-Hercegovinën. Po ashtu ai ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Në vitin 2002, Sorensen ishte këshilltar në misionin UNMIK të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndërsa ka qenë edhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi dhe këshilltar i lartë në misionin e OSBE-së në Kroaci.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/