RTSH 24 Live

Ekonomi

Skema piramidale me mikrokreditë, BSH revokon licensat e dy subjekteve financiare

23/05/2024

Skema piramidale me mikrokreditë, BSH revokon licensat e dy subjekteve financiare

Banka e Shqipërisë revokoi të enjten licensat për dy shoqëritë “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k, licensa të cilat janë tashmë të pezulluara që me 6 shkurt 2024. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet këtij njoftimi për shtyp nga Banka e Shqipërisë.

Shkak për revokimin e licensave është nisja e procedimit penal nga SPAK nën akuzën për veprën penale "Skema mashtruese dhe piramidale" si pjesë e kallëzimit penal i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, si dhe përmbaruesve të tyre.

“Banka e Shqipërisë, sot, më datë 23.5.2024, ka marrë vendim për revokimin e licensave të dy subjekteve financiare jo banka, përkatësisht licensën nr. 11, datë 20.2.2009 të shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe licensën nr. 38 datë 9.5.2016 të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k., tashmë e pezulluar me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024.”, thuhet në njoftim.

Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregulluese në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jo banka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licensave kur subjektet e licensuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licensuar.

“Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licensa, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht.”, thuhet në njoftim.  

Banka e Shqipërisë, nga ana tjetër, po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ, lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”. 

“Banka e Shqipërisë do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.”, njofton BSH.

Kallëzimi penal

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale "Skema mashtruese dhe piramidale" si pjesë e kallëzimit penal i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Skema e blerjes së kredive të këqija

Nga aktet e sekuestruara rezulton se shoqëritë e sipër përmendura morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro. Ato përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera. Kjo skemë është përdoruar tek kredi marrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

 Zhvatja nëpërmjet kamatvonesave

Këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.

“Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.”, njofton prokuroria.

Akuza duket se ka arritur të vërtetojë nga aktet e administruara dhe të provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote, dhe Alketa Tanushi, kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’, kurse Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes. Po kështu edhe Elda Ibro, administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’.

/rtsh.al/