RTSH 24 Live

Sociale

Situata në burgje, Ballanca: Problem mbipopullimi, amnistia s'duhet të kthehet në qëllim

24/05/2024

Situata në burgje, Ballanca: Problem mbipopullimi, amnistia s'duhet të kthehet në qëllim

Mbipopullimi është një nga problemet kryesore në burgje e Shqipërisë sipas Avokates së Popullit, Erinda Ballanca.

Në një intervistë në RTSH 24, Ballanca u shpreh se nevojitet një politikë penale më e lehtë. Po ashtu, sipas Ballancë, edhe reforma në drejtësi, pavarësisht impaktit pozitiv, ka sjellë probleme për shkak të numrit të ultë të gjyqtarëve. Kjo ka çuar në kohëzgjatje të çështjeve gjyqësore, duke sjellë edhe mbipopullimin e paraburgimit.

Shqipëria ka një numër goxha të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë. Duhet të kemi një politikë penale më të lehtë. Shqipëria vijon të ketë politikë penale shumë të ashpër. Një çështje tjetër shumë problematike është edhe një nga pasojat e reformës në drejtësi, boshatisja e gjykatave. Kjo sjellë mbipopullimin e paraburgimit sepse kohëzgjatja e një çështje gjyqësore sot është shumë herë më e lartë sesa ishte para reformës në drejtësi”, u shpreh Ballanca.

E pyetur lidhur me amnistinë penale, Avokatja e Popullit tha se është çështje që duhet trajtuar me shumë kujdes dhe të mos kthehet në qëllim në vetvete. Sipas saj, miratimi i amnistisë aktualisht ishte për shkak të mbipopullimit, por theksoi se qëllimi kryesor duhet të jetë që personat që janë rehabilituar duhet të dalin.

“E drejta për të përfituar nga amnistia nuk është një e drejtë absolute. Amnistia është një nga ato çështjet që duhet ët trajtohen me shumë kujdes nga qeveria dhe të mos kthehet në qëllim në vetvete. Shkaku për të cilin u miratua aktualisht amnistia ishte pragmatik sepse kishim një mbipopullim në burgje. Nuk jam absolute në idenë që amnistia bëhet për të fituar vota sepse sa herë fitohen vota nga ato që lirohen, humbin vota nga viktimat e atyre që lirohen. Dënimi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, duhet të adresojë nevojën e personave për të ndryshuar. Në këtë fushë amnistia luan një rol pozitiv. Qasja ndaj amnistisë është jo shumë mbështetëse, mund të bëhet herë pas here, por qëllimi kryesor duhet të jetë që personat që janë rehabilituar duhet të dalin”, theksoi Ballanca.

/rtsh.al/