RTSH 24 Live

Sociale

Rritet numri i divorceve në Durrës, në 2024 u regjistruan 662 padi për zgjidhje martese

7 orë para

Rritet numri i divorceve në Durrës, në 2024 u regjistruan 662 padi për zgjidhje martese

Numri i divorceve në Durrës po njeh një rritje të ndjeshme, duke reflektuar sfida serioze në raportet familjare dhe qëndrueshmërinë sociale. Ajo që vihet re së fundmi është se një pjesë e madhe e këtyre shkurorëzimeve po kryhen nga shqiptarët në emigracion, të cilët zgjedhin të zgjidhin martesën në Shqipëri, për të shmangur kostot e larta dhe pengesat ligjore që hasin në vendet ku jetojnë.

Shkaku kryesor që emigrantët vijnë të kërkojnë zgjidhjen e martesës është se burrat janë konsumues të pijeve alkoolike  apo të bixhozit dhe kjo sjell që të kenë probleme në familje”, u shpreh Ingrida Mustafa, avokate.

Një proces divorci mund të zgjasë deri në dy vite. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, por ajo që vihet re është se në shumicën e rasteve, janë gratë ato që marrin hapin e parë drejt ndarjes.

 “Është shumë e rrallë që meshkujt të kërkojnë divorcin”, tha avokatja.

Sipas të dhënave nga Gjykata e Durrësit, vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 662 padi për zgjidhje martese, një pjesë e të cilave vijojnë të shqyrtohen. Në dy vitet e fundit, numri i përgjithshëm i padive për divorc ka arritur në 1342 raste, duke e renditur Durrësin mes rajoneve me shifrat më të larta në shkallë vendi.

/rtsh.al/