”Një total prej 22,3 milionë hektarësh morën zjarr në nëntë muajt e parë të 2024, një rritje prej 150% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, thuhet në raportin e nismës MapBiomas.
Zona, që korrespondon me rreth 2,6% të sipërfaqes së Brazilit, është më e madhe se Bjellorusia (20,2 milion hektarë) dhe pothuajse sa madhësia e Rumanisë (23 milionë hektarë).
Për raportin, rrjeti i përbërë nga universitetet, organizatat joqeveritare dhe kompanitë e teknologjisë, analizoi imazhet satelitore dhe të dhëna të tjera.
Më shumë se gjysma e zonës së djegur ishte në rajonin e Amazonës.
Vetëm në shtator, aty u dogjën 5,5 milionë hektarë – një rritje prej 196% krahasuar me të njëjtin muaj të 2023-ës.
I quajtur “mushkëritë e planetit”, pylli tropikal i Amazonës thith dioksidin e karbonit nga atmosfera, duke luajtur një rol kyç në luftimin e ndryshimeve klimatike.
Në shtator, Cerrado, rezervuari i ujit në Brazil dhe shtëpia e rreth 5% të të gjitha specieve bimore dhe shtazore në Tokë, ishte biomi më i prekur nga zjarret për sa i përket sipërfaqes, me 4,3 milionë hektarë.
Ka pasur një rritje prej 158% në zonën e prekur krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Brazilit për Kërkimet Hapësinore (INPE), i cili është përgjegjës për monitorimin satelitor, vendi i Amerikës së Jugut ka parë zjarret më të këqija në 14 vjet që nga fillimi i vitit.
/ rtsh.al /