RTSH 24 Live

Euro 2024

Silvinjo: Me Spanjën një mision i vështirë, por jo i pamundur

23/06/2024

Silvinjo: Me Spanjën një mision i vështirë, por jo i pamundur

Kombëtarja e Shqipërisë do të ballafaqohet nesër me atë të Spanjës, një duel vendimtar ky për “Kuq e Zinjtë” për të kaluar grupin. Spanja tashmë e ka kaluar atë duke qenë në vendin e parë, pas dy fitoreve të arritura me Italinë dhe Kroacinë.

Një ditë para ndeshjes së shumëpritur, trajneri i kombëtares shqiptare Silvinjo, dhe kapiteni i ekipit, Berat Gjimshiti kanë dalë përpara medias për të informuar për strategjinë, përgatitjet dhe ambiciet për këtë takim.

Kuq e zinjtë kërkojnë 3 pikë, për të kaluar në fazën e 1/8, që do të ishte dhe një ngjarje historike për futbollin shqiptar. Sylvinho tha se skuadra do japë maksimumin në fushë, në mënyrë që të kualifikohet.

“Është goxha emocionuese. Spanja më ka mirëpritur mua dhe familjen time. Njoh shumë njerëz aty. Është një skuadër briliante me një trajner të mrekullueshëm. Nga ana tjetër jam i lumtur që po drejtoj Shqipërinë. Kemi bërë shumë rrugë për të ardhur deri këtu, në grupin e vdekjes dhe tani duhet të përballemi me Spanjën në ndeshjen e fundit me një mundësi që është e madhe për ne. Do të tentojmë nesër kundër skuadrës më të mirë dhe futbollistëve më të mirë. E dini më mirë se sa unë që Spanja e ka ADN e vet që të mbajë topin në posedimin e lojës. Ka lojtarë direkt dhe në krah janë të rrezikshëm, kanë më shumë cilësi, kanë shumë lojtarë të shpejtë. I kam vëzhguar gjatë këtyre muajve, janë shumë mirë të organizuar. Spanja është më e mira në grup, pasi kanë mundur Kroacinë dhe Italinë. Por ne kemi lojtarë ambiciozë dhe presim të kemi një lojë të mirë kundër Spanjës”, tha Silvinjo.

Ndërsa kapiteni Gjimshiti u shpreh se të gjthë çunat janë gati për sfidën nesër.

“Kemi ende mundësi për të kaluar grupin, të provojmë ta bezdisim Spanjën. Nuk ndikon aspak fakti se ata mund të luajnë me formacionin e dytë, por nuk besoj se do ta bëjnë këtë. E dimë kë kemi përballë dhe kjo është gjëja me e rëndësishme. Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku ka bërë një gabim, por kërkoi falje. Do kemi një kundërshtar të vështirë dhe kjo është ajo për të cilën duhet të fokusohemi. Asgjë nuk është e pamundur në jetë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por duhet të tregojmë pse jemi këtu. Do tentojmë të bëjmë më të mirën nesër. Nuk jam këtu për të folur për gjobat e vendosura nga UEFA, do të kemi shumë tifozë dhe duhet të besojmë në veten tonë”, përfundoi Gjimshiti.

/rtsh.al/