RTSH 24 Live

Aktualitet

Shqipëria pro anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, qeveria miraton protokollin

26/05/2022

Shqipëria pro anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, qeveria miraton protokollin

Këshilli i Ministrave ka miratuar protokollin për anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë. Ministrja Olta Xhaçka ka bërë me dije pas mbledhjes së qeverisë, se Shqipëria ka dhënë dakordësinë për zgjerimin e aleancës dhe përfshirjen në të, të Finlandës dhe Suedisë.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Pra, dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të, të këtyre dy vendeve. Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Hapi final, përpara se të dy vendet të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati. Është një zhvillim i rëndësishëm, që forcon akoma më shumë sigurinë në hapësirën euro-atlantike, por që forcon njëkohësisht edhe bashkëpunimin mes NATO dhe Bashkimit Europian. Është një zhvillim që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus kundër Ukrainës dhe fakti që dy vende si Finlanda dhe Suedia, me një traditë të gjatë neutraliteti, ndjejnë sot nevojën të anëtarësohen në NATO flet qartë në njërën anë për nivelin e kërcënimit me të cilin përballet sot e gjithë Europa e në anën tjetër për besimin që gëzon NATO si një organizatë e aftë të garantojë sigurinë kolektive të çdo vendi anëtar edhe përballë një kërcënimi të këtyre përmasave”, tha Xhaçka.

Ministrja deklaroi më tej se Shqipëria ka mbështetur gjithmonë politikën e Dyerve të Hapura nga ana e NATO-s për të gjitha ato vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit. Sipas saj, Suedia dhe Finlanda janë dy vende mike të Shqipërisë që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në operacionet dhe misionet e NATO në rajonin tonë.

Nuk ishte pra një vendim i vështirë apo për të cilin kishte hezitim. Por ne shpresojmë që ky moment, zgjerimi do të shërbejë për t’i dhënë një momentum të ri zgjerimit të mëtejshëm të NATO edhe në Ballkanin Perëndimor, e këtu dua të theksoj sidomos rastin e Kosovës, e cila ndan me Aleancën të njëjtat parime e të njëjtat vlera”, tha Olta Xhaçka.

/rtsh.al/