RTSH 24 Live

Sociale

Shqipëria, laborator të ri për monitorimin e pandemive, Manastirliu: Zbulim të viruseve edhe në ujërat e ndotura

21/09/2022

Shqipëria, laborator të ri për monitorimin e pandemive, Manastirliu: Zbulim të viruseve edhe në ujërat e ndotura

Për të parën herë Shqipëria do të ketë mundësi të identifikojë virusin Sars-Cov2 edhe në ujërat e ndotura. Falë çeljes së laboratorit të ri në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës me fondet e Qeverisë Gjermane, vendi ynë futet kështu në rrjetin e monitorimit të identifikimit të hershëm të viruseve nëpërmjet survejancës mjedisore me impakt në shëndetin publik. Lajmi është përcjellë nga Ministrja e Shëndetësisë  Ogerta Manastirliu.

Shqipëria për të parën herë futet në rrjetin e monitorimit përsa i përket identifikimit të Sars-CoV2 në ujërat e ndotura. Një laborator i ri, i cili do të na japë një sinjalizim më të shpejtë, një vlerësim përsa i përket situatës së ecurisë së post-pandemisë dhe do të na vendosë në të njejtin pozicion si të gjitha ato vende që sot e kanë këtë laborator, duke krijuar mundësinë për të vlerësuar një element të rëndësishëm në të gjithë sistemin e survejancës aktive, që është pikërisht monitorimi i ujërave të ndotur për praninë e Sars-Cov2. Ky laborator do të bëjë të mundur edhe monitorimin e shumë viruesve të tjera. Do të bëjë të mundur gjithashtu monitorimin përsa i përket një tjetër fushe që ne jemi duke bashkëvepruar dhe bashkëpunuar në kuadër të sistemit të alertit për antibiotiko-rezistencën. Ne sot do të kemi mundësi të zgjerojmë gamën e analizave mikrobike dhe gjenetike, në funksion të përmirësimit të shëndetit të popullatës me qasjen “one health”, tha Manastirliu.

Manastirliu njoftoi se shume shpejt ISHP do të ketë edhe një aparaturë të re në lidhje me sekuencimin genomic, për evidentimin e viruseve, varianteve, nënvarianteve.

Ky laborator vjen në një kohë tëshkurtër pas shpërthimit të poliomielitit në Nju Jork, Izrael dhe Londër, ku virusi u zbulua në ujërat e zeza dhe krijoi alarm për masa kundërvepruese.

/rtsh/