RTSH 24 Live

Kosovë

Shpërthimi në Zubin Potok, Vuçiq: Beogradi s’ka lidhje me ngjarjen dhe Prishtina e di këtë

30/11/2024

Shpërthimi në Zubin Potok, Vuçiq: Beogradi s’ka lidhje me ngjarjen dhe Prishtina e di këtë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen e Beogradit në incidentin e fundit në veri të Kosovës, ku u dëmtua kanali Ibër-Lepenac. Ai ka deklaruar se Serbia nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe se Prishtina është e vetëdijshme për këtë fakt.

Në një deklaratë për mediat, Vuçiq tha se nuk do të kërkonte falje për diçka që nuk ka ndodhur, duke shtuar se është e gabuar të përpiqesh të justifikohesh për akuza që nuk kanë bazë.

Presidenti serb theksoi se gjithçka do të zbardhet me kalimin e kohës, ndërsa apeloi për qetësi dhe ka theksuar se lufta për interesat kombëtare duhet të vazhdojë, por gjithmonë në mënyrë të matur dhe të arsyeshme.

"Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t'u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë ngadalë, në fund, gjithçka do të bjerë. Është e rëndësishme vetëm të punosh, të luftosh dhe të besosh në veten tënde, si dhe ta vendosësh shiritin lart disi, kjo është e gabuar”, tha Vuçiq.

Më herët edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka dënuar sulmin dhe ka mohuar përfshirjen e Serbisë në këtë akt sabotues, ndërsa akuzoi Albin Kurtin se nxitoi “të drejtonte gishtin” nga Serbia.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor, ku shkaktoi dëme në kanalin ujësjellës të Ibër-Lepencit në Kosovë, që shërben për të furnizuar popullatën vendase me ujë, por edhe për energjinë elektrike. Kryeministri Albin Kurti akuzoi Serbinë për sulmin, për nxitje të sulmit "kriminal e terrorist”.

/rtsh.al/