RTSH 24 Live

Aktualitet

Shpërthimi i bombolave të gazit, Goxhaj: Sigurohuni të mos ketë rrjedhje, mbushini në pikat e licensuara

29/03/2024

Shpërthimi i bombolave të gazit, Goxhaj: Sigurohuni të mos ketë rrjedhje, mbushini në pikat e licensuara

Shpërthimi i bombolave të gazit dhe ngjarjet e ndodhur së fundmi në vendin tonë, kanë qenë në fokus të emisionit “Jetë Shqiptare”.

Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës i Bashkisë Tiranë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos mbushin apo rimbushin bombolat në pikat e karburanteve, por vetëm në pikat e licensuara.

Po ashtu, ai këshilloi që qytetarët të sigurohen që të mos ketë rrjedhje të bombolave, pasi një shkëndije e vogël do të rezultonte fatale.

 “Ne kemi statistika vjetore. Në Tiranë rreth 60 ngjarje në vit, shpërthime të gazit në banesa që i bie  5 raste në çdo muaj.

Këto ngjarje për shërbimin zjarrfikës janë shumë të vështira dhe ngjarje që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Me riskun më të lartë për jetën e qytetarëve. Shpërthimi i gazit në ambiente të mbyllura nuk i jep mundësi shërbimit zjarrfikës nëse dikush është i dëmtuar në ato momente.

Ngjarjet e disa viteve të fundit nuk kemi pasur ngjarje fatale fatmirësisht. Ka një kujdes më të shtuar nga qytetarët e bizneset që të mos kemi ngjarje të tilla.

Ajo që duhet të përqendrohemi është që te informacioni që duhet të japim te qytetarët kur përdorin gazin e lëngshëm”, tha Goxhaj.

Ky i fundit deklaroi se bombolat e kampingut, të cilat janë në ngjyrë portokalli, nuk duhet të përdoren në ambientet e shtëpisë.

Bombolat e kampingut nuk duhen përdorur në banesë. Edhe kur ka rrjedhje gazi në ambient të hapur nuk dëmtojnë qytetarët.

Përdorimi i bombolave në banesa janë standarte. Të gjitha bombolat duhet të mbushen e rimbushen në pikat e licensuara dhe jo në pikat e karburantit. Shpërthimet me gaz po t’i shihni, ndodhin në momentet kur ndërrohet bombola e gazit, sepse ka presion.

Rrjedh gazi dhe kur ndezim dritën ndodh shpërthimi. Si ngjarje ndodhin në orët e para të mëngjesit, se gjithë natën rrjedh bombola, qytetari ndez cigare dhe ndodh shpërthimi”, u shpreh ai.

/rtsh.al/