Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen "Tom Kola" në qytetin e Shkodrës.
Sipas policisë bëhet me dije se lënda plasëse është vënë në derën e oborrit në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj i cili mban detyrën gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Nga raportimet e para bëhet me dije se nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Kamerat e sigurisë të banesës së gjyqtarit kanë filmuar autorin të veshur me rroba të errëta dhe me maskë, i cili pasi lë lëndën plasëse, largohet në këmbë përmes rrugicave.
Gjyqtari Sterkaj ka dhënë një dëshmi në policinë e Shkodrës duke thënë se dyshon se kjo ngjarje lidhet me detyrën e tij si gjyqtarë në gjykatën e Shkodrës por pa e pasur të qartë se për cilin rast mund të bëhet fjalë konkretisht.
Ndërkohë policia e Shkodrës është e bindur tashmë se vënia e sasisë së lëndës plasëse në shtëpinë e gjyqtarit Tonin Sterkaj është e qëllimshme dhe dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës si gjyqtar.
Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
/rtsh.al/