Në tregun e shitblerjeve të pronave kohët e fundit bie në sy rritje e kërkesave për prona në bregdet.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë Erjon Harizi tha për "Monitor" se krahasuar me vjet kërkesa për prona në bregdet është rritur 20 deri 30% krahasuar me vitin e kaluar.
Ndër zonat më të preferuara për blerje të pasurive të paluajtshme është Vlora, Palasa dhe Saranda. Sipas zotit Harizi 40% e blerësve të pronave në bregdet janë shtetas me pasaportë të huaj.
Sipas të dhënave të agjencive imobiliare për "Monitor" në nisje të sezonit të pranverës çmimet e pronave në bregdet rezultuan mesatarisht 25% më të shtrenjtë në raport me vitin e kaluar.
Në resortet në zonat bregdetare si: Palasë, Orikum dhe Sarandë çmimi maksimal i shitjes së apartamenteve arriti 4,000 euro për metër katror.
Në vijën e parë të ndërtimit të resorteve në Lungomare në Vlorë apartamentet po shiten me çmim 3,500 euro për metër katror. Krahasuar me vjet çmimet e pronave të vijës së parë në këtë zonë janë shtrenjtuar 25%.
Me tepër shtrenjtim të çmimeve pati në zonat Orikum dhe Radhimë. Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se në vijën e parë për zonat bregdetare të jugut nuk gjen pasuri të paluajtshme me çmim nën 3,000 euro.
Në Golem çmimi maksimal i shitjes arriti 1,500 euro për metër katror dhe në Gjirin e Lalëzit vlerat variojnë nga 2,400 deri 3,300 euro për metër katror.
Në zonën e shkëmbit të Kavajës çmimet maksimale të shitjes kanë arritur 1,800 euro për metër katror nga 1,500 euro që ishin vjet (rritja 20%).
Brenda qytetit të Sarandës çmimet e apartamenteve variojnë 1,500 euro për metër katror për ndërtesa e ndërtuara para 10 vitesh deri në 2,200-2,500 euro për metër katror te ndërtimet e reja me vendndodhje 500 deri 1,000 metra larg detit.
Ndërsa për apartamentet e reja në proces ndërtimi në breg të detit, vija e para çmimet nisin mbi 3,000 euro për metër katror.
/ rtsh.al /