Policia e Shkodrës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme (21 shtator) në fshatin Hot i Ri, ku mbeti i vrarë 33-vjeçari Valter Fierza.
Polcia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin 24-vjeçar, i cili qëlloi me kallashnikov 33-vjeçarin pas një konflikti çasti me viktimën jashtë një lokali.
Blutë e Shkodrës kanë shpallur në kërkim autorin Klodian Mhilli dhe tre persona të tjerë të cilët u përfshinë në një konflikt çasti me vëllanë e viktimës, ndërsa kanë vënë në pranga 1 person tjetër të shpallur në kërkim.
Policia bëri me dije se vuri në pranga 22-vjeçarin e shpallur në kërkim, i cili ishte përfshirë në konfliktin e çastit që çoi më pas në vrasjen e 33-vjeçarit.
Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, Fierza. Autori sapo ka konstatuar automjetin e viktimës ka qëlluar në drejtim të tij me armë kallashnikov duke i marrë jetën.
“Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin K. F., 35 vjeç. Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi V. F. Sapo ka parë automjetin, shtetasi K. M. dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast.
/rtsh.al/