RTSH 24 Live

Aktualitet

Shkodër- Ngjarje tragjike, një 15 vjeçar vritet me thikë, policia identifikon dhe kap autorin e dyshuar

14/10/2024

Shkodër- Ngjarje tragjike, një 15 vjeçar vritet me thikë, policia identifikon dhe kap autorin e dyshuar
Foto nga vendngjarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Shkodër. Një i mitur ka humbur jetën si pasojë e një plage të marrë me thikë. Sipas policisë, rreth orës 19:30, në zonën e Fermentimit, në lagjen “Skenderbeg”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, një shtetas ende i paidentifikuar, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë),  një të mitur 15-vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Policia informon se falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë Shkodër,  identifikuan dhe shoqëruan në Komisariat për veprime të mëtejshme, një 15 vjeçar që dyshohet si autor i kësaj ngjarjeje.

"Në zonën e Fermentimit, në lagjen “Skenderbeg”, në rrethana ende të paqarta u plagos me armë të ftohtë (thikë) një 15 vjeçar dhe si pasojë e plagëve të marra humb jetën në spital, menjëherë u krijua grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë u shpërndanë në zonë për të grumbulluar informacion me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë Shkodër,  identifikuan dhe shoqëruan në Komisariat për veprime të mëtejshme, një 15 vjeçar që dyshohet si autor i kësaj ngjarjeje. Shërbimet e Policisë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes  gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë) që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit, ku mbeti i plagosur 15 vjeçari, i cili humbi jetën në Spital. Nga veprimet e para hetimore rezulton se dhe 15 vjeçari i dyshuar si autor i ngjarjes është dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë) në sup pa probleme për jetën. Grupi hetimor nën drejtimin  Prokurorisë po vijon veprimit intensive, në prani të psikologut  dhe familjarëve, për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.”, njofton policia.

/rtsh.al/