RTSH 24 Live

Politikë

Shkodër, Basha: Me dorëheqjen time nga kreu i PD-së, shpresova se dhe Berisha do të reflektonte, por gjërat shkuan më keq

27/05/2023

Shkodër, Basha: Me dorëheqjen time nga kreu i PD-së, shpresova se dhe Berisha do të reflektonte, por gjërat shkuan më keq

 Nga Shkodra, Lulzim Basha ka dhënë disa detaje se përse marrëdhënia e tij me Sali Berishën u kris, si dhe për momentin kur me 9 shtator mori vendimin për ta larguar ish- kryeministrin nga grupi parlamentar i PD-së. Basha i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi që ai zhvilloi me të rinj të qytetit më të madh verior.

Sipas tij, edhe dhënia 1 vit më parë e dorëheqjes si kryetar i PD-së, kishte si qëllim që ta bënte Berishën të reflektonte, pasi partia po kalonte një situatë të pazakontë.

"Mora vendimin për t’u tërhequr, në mënyrë  që kjo luftë të mos vazhdonte, duhej t’i jepja shans pajtimit brenda radhëve tona, sepse po përfitonte kundërshtari ynë politik. Ata që po humbnin ishin jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët. Por çfarë ndodhi? Prej një viti gjërat kanë shkuar më keq. Kisha pasur një fije shpresë për reflektim, që të tërhiqej edhe ai, por gjërat shkuan keq e më keq. Vendimin e mora për të mos i shërbyer ndarjes së demokratëve, por për të kërkuar reflektim. Nuk ka ndodhur, gjërat janë më keq, prova më e qartë është 14 maji. -tha Basha.

 Ish- kreu i PD-së shprehet se e kishte kuptuar gjatë vitit të kaluar se Berisha s’kishte në mend të tërhiqej.

"Ne vendosëm një standard, për Tom Doshin, Vangjush Dakon, për "non grata“-t e tjerë dhe kur ndodhi në shpinë tonë spati asnjë reflektim. I thash se nuk mundet që për këtë problem të marrë PD-në me vete. Reagimi i tij ishte që s’do ta marr PD në këtë proces, por bëri të kundërtën dhe ja ku jemi. PD, nuk mund të jetë PD, nëse e humb aleancën me Perëndimin. S’mund të vijë në pushtet pa një aleancë me SHBA, Britaninë e Madhe. Interesi personal nuk mund të kthehet në pengesë për të gjithë demokratët dhe shqiptarët që duan ndryshimin. Sulmet, shpifjet dhe denigrimet, të cilat i kam dëgjuar nga Rama, tani i dëgjoj nga goja e dikujt që e kam pasur për 9 vite krah! Pse? Kjo sepse më 9 shtator unë duhet të merrja një vendim të vështirë, por të domosdoshëm. Ai vendim na kanë ndarë.”,- tha Basha.

/rtsh.al/