RTSH 24 Live

Aktualitet

Sherri për guroren në Borizanë, shpallet në kërkim djali i deputetit socialist, Rexhep Rraja

07/07/2023

Sherri për guroren në Borizanë, shpallet në kërkim djali i deputetit socialist, Rexhep Rraja

Policia ka shpallur në kërkim Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, pas ngjarjes së regjistruar këtë të premte (7 korrik) në fshatin Borizanë të Krujës, ku u dhunuan barbarisht dy kushërinj, Bilbil dhe Jashar Maja.

Policia njofton se për ngjarjen janë ndaluar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim edhe 3 të tjerë, ndërsa vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e Rrexhep Rraja.

"DVP Tiranë Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje", njofton Policia.

Ngjarja u regjistrua paradite e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë ndërsa janë arrestuar 4 persona dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Shkak për konfliktin dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, ndërsa mes personave që dhunojnë dy kushërinjtë janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi duke e konsideruar dhunën të papranueshme, teksa theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive “në asnjë rrethanë”.

/rtsh.al/