Një i dënuar ka mbetur i vdekur dhe dy janë plagosur në burgun e Peqinit si pasojë e një konflikti mes tre prej të burgosurve përjetë.
Të dënuarit Sokol Mjacaj, Arben Lleshi, Indrit Shaqja u përplasën në ambientet e burgut të Peqinit.
Mësohet se ishte i dënuari Mjacaj që plagosi Shaqjan dhe i shkaktoi plagë vdekjeprurëse Lleshit. Vrasja raportohet se ndodhi me armë zjarri tip pistoletë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se asnjë gardian, staf policor dhe civil nuk është lënduar, ndërsa situata po menaxhohet.
Në vendngjarje mbërritën Prokurori i Elbasanit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Forcat Renea. Hetimin e ka marre ne dore Prokuroria e Elbasanit!
Historiku i tre të dënuarve
Sokol Mjacaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015, me qëllim grabitjen. Sot u mësua se Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kish urdhëruar vendosjen e Mjacajt në regjimin e posaçëm 41 bis në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”.
Indrit Shaqja është dënuar për vrasjen dy të moshuarave mesnatën e shtatorit të 2014, ndërsa Mjacaj po vuan dënimin kapital për vrasjen e dy turistëve çekë me qëllimin për t'i grabitur.
Arben Lleshi, nga fshati Laç-Bruçi i Matit, është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012 në Southempton, por trupi i tij u dogj dhe u gjet në një makinë “Mercedes Benz”.
/rtsh.al/