RTSH 24 Live

Serbi

SHBA sanksionon rrjetin që rriti pasurinë e Millorad Dodikut

18/06/2024

SHBA sanksionon rrjetin që rriti pasurinë e Millorad Dodikut

Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar një rrjet prej dy individësh dhe shtatë entitetesh që është thënë se sigurojnë burime të mëdha të të ardhurave për presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, i sanksionuar, po ashtu, nga SHBA-ja, dhe për familjen e tij. 

“Dodik e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për të rritur pasurinë përmes kompanive të lidhura me të dhe Igor Dodikun”, është thënë në deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit.

Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut. “Gjatë këtij viti, Igori dhe babai i tij kanë përdorur ndikimin e tyre mbi disa zyrtarë të lartë të Bosnje-Hercegovinës për të manipuluar draftin e buxhetit shtetëror të Bosnjës, në mënyrë që një kontratë në nivel shtetëror ta fitonte entiteti që ata dëshironin ndërkohë që ai ishe jashtë procesit konkurrues”, bëhet e ditur në njoftim. 

Autoritetet amerikane kanë thënë se dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për të gërryer institucionet që kanë garantuar paqe dhe stabilitet, në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon.

Ato, gjithashtu, kanë thënë se do të vazhdojnë të shpërfaqin skemat mashtruese që i kanë mundësuar Dodikut dhe familjes së tij që të shfrytëzojë njerëzit e vet për përfitime personale.

 

/ rtsh.al /