RTSH 24 Live

Botë

SHBA: Rusia 300 milionë dollarë për partitë politike në mbi 24 vende, 500 mijë dollarë për PD në 2017

14/09/2022

SHBA: Rusia 300 milionë dollarë për partitë politike në mbi 24 vende, 500 mijë dollarë për PD në 2017

Rusia ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende. Pretendimet janë bërë nga një zyrtar i lartë i administratës së Joe Biden sipas së cilit një nga vendet në të cilat ka financuar Rusia është dhe Shqipëria.

Sipas të njëjtit burim, Rusia ka shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu ka financuar partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar. Pretendimi i Departamentit të Shtetit bazohet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane të publikuar më 13 shtator. Rusia nuk ka komentuar publikisht për këtë çështje, por vetë Moska ka akuzuar vazhdimisht SHBA-në për ndërhyrje jashtë vendit.

"Inteligjenca amerikane "vlerëson se këto janë shifra minimale dhe se Rusia ka të ngjarë të ketë transferuar fonde shtesë fshehurazi në rastet që kanë mbetur të pazbuluara", tha zyrtari i administratës Biden gjatë një konference telefonike.

Vlerësimi i inteligjencës amerikane i lëshuar në një kabllogram nuk përmendi vende ose zyrtarë të veçantë që besohet se janë shënjestruar nga Rusia, por tha se ato përfshinin katër kontinente. Burimi tha gjithashtu se Kremlini kishte përdorur Brukselin si një qendër për fondacionet dhe frontet e tjera që mbështesin kandidatët e ekstremit të djathtë.

SHBA ka ndërhyrë në zgjedhjet e huaja më shumë se 80 herë në mbarë botën midis viteve 1946-2000, pa përfshirë grushtet e shtetit apo përpjekjet për ndryshimin e regjimit, sipas një baze të dhënash të mbajtur nga studiuesi i Universitetit Carnegie Mellon, Dov Levin. Të martën, zëdhënësi i departamentit të shtetit Ned Price e quajti financimin e dyshuar të fshehtë të Rusisë një "sulm ndaj sovranitetit".

/rtsh.al/