Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një valë të fuqishme sulmesh ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen, duke iu përgjigjur sulmeve të grupit të mbështetur nga Irani ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Presidenti Donald Trump e cilësoi këtë veprim si një përgjigje ndaj "piraterisë, dhunës dhe terrorizmit" të Houthi-t, që sipas tij, ka shkaktuar miliona dollarë dëme dhe ka vënë jetën e shumë njerëzve në rrezik.
“Të financuar nga Irani, banditë Houthi kanë gjuajtur raketa në aeroplanët amerikanë dhe kanë vënë në shënjestër trupat dhe aleatët tanë”, shkroi Trump në platformën e tij sociale “Të Vërteta”, duke shtuar se “pirateria, dhuna dhe terrorizmi” i tyre kishin kushtuar “miliarda dollarë” dhe kishin vënë jetë në rrezik.
Grupi rebel i mbështetur nga Irani, i cili e konsideron Izraelin armikun e tij, kontrollon Sanaan dhe veriperëndimin e Jemenit, por nuk është qeveria e vendit e njohur ndërkombëtarisht.
Imazhet e paverifikuara tregojnë shtëllunga tymi të zi mbi zonën e aeroportit të Sanaa - që përfshin një strukturë ushtarake.
Në një deklaratë, Houthi-t fajësuan SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar për agresionin "të lig" që synon zonat e banuara në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa megjithëse kuptohet se Britania e Madhe nuk mori pjesë në sulmet e SHBA-së të së shtunës kundër objektivave Houthi, por ajo ofroi mbështetje rutinë për furnizimin me karburant për SHBA-në.
"Këto sulme, nuk do të tolerohen. Ne do të përdorim forcë dërrmuese vdekjeprurëse derisa të kemi arritur objektivin tonë", tha Trump.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se qeveria amerikane nuk kishte "asnjë autoritet, apo biznes që të diktonte politikën e jashtme iraniane".
"T'i jepet fund mbështetjes për gjenocidin dhe terrorizmin izraelit," postoi ai në X të dielën. "Ndaloni vrasjet e popullit jemenas", tha Abbas Araghchi.
Houthi-t kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe kanë pohuar - shpesh në mënyrë të rreme - se ata synojnë anije të lidhura vetëm me Izraelin, SHBA-në ose Britaninë e Madhe.
/rtsh.al/