RTSH 24 Live

Teknologji

SHBA ndalon softuerin e kompanisë ruse “Kaspersky” për shqetësime sigurie

21/06/2024

SHBA ndalon softuerin e kompanisë ruse “Kaspersky” për shqetësime sigurie

SHBA do të ndalojë shitjen e softuerit antivirus të krijuar nga kompania e sigurisë kibernetike me qendër në Moskë, “Kaspersky”.

“Operacionet e kompanisë në SHBA paraqesin një rrezik të sigurisë kombëtare për shkak të aftësive sulmuese kibernetike të qeverisë ruse dhe kapacitetit për të ndikuar ose drejtuar operacionet e “Kaspersky”, tha Departamenti Amerikan i Tregtisë në një deklaratë.

“Kaspersky” përgjithësisht nuk do të jetë më në gjendje, ndër aktivitetet e tjera, të shesë softuerin e tij brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose të ofrojë përditësime të softuerit tashmë në përdorim”, tha departamenti.

“Përdoruesit privatë dhe profesionistë të softuerit antivirus të instaluar gjerësisht të “Kaspersky” duhet të gjejnë një alternativë për shkak të rrezikut”, sipas deklarates.

“Rusia ka treguar herë pas here se ka aftësinë dhe synimin për të shfrytëzuar kompanitë ruse, si “Kaspersky Lab”, për të mbledhur informacione të klasifikuara të SHBA-së, dhe ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet në dispozicionin tonë për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe popullin amerikan”, tha Sekretarja Amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo.

Shitja e softuerit “Kaspersky” në SHBA do të ndalohet nga 20 korriku. Kompania do të jetë në gjendje të ofrojë përditësime të softuerit për përdoruesit ekzistues deri më 29 shtator.

Softueri i “Kaspersky” është krijuar për të mbrojtur përdoruesit kundër trojanëve, spyware dhe kërcënimeve të tjera kibernetike.

Në SHBA, instalimi në pajisjet qeveritare është ndaluar që nga viti 2017, dhe në Gjermani Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) paralajmëroi kundër përdorimit të softuerit.

“Kaspersky” ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është një kompani private globale e sigurisë kibernetike që nuk ka lidhje me qeverinë ruse. 

/ rtsh.al /