RTSH 24 Live

Serbi

SHBA dhe Rusia apelojnë për kujdes të shtuar nga protesta e së shtunës në Beograd

2 orë para

SHBA dhe Rusia apelojnë për kujdes të shtuar nga protesta e së shtunës në Beograd

Ambasadat amerikane dhe ruse në Serbi kanë njoftuar qytetarët e tyre të bëjnë kujdes të shtunën prej protestës së paralajmëruar në Begroad.

"Një valë e madhe protestash, me pjesëmarrës që mund të arrijnë në qindra mijëra, parashikohen të fillojnë në Beograd të shtunën, më 15 mars, me disa grupe protestuesish të ardhur që të premten, më 14 mars. Protestat mund të përhapen në pjesën më të madhe të qendrës së Beogradit, veçanërisht në zonat pranë institucioneve qeveritare dhe selisë së transmetuesit publik RTS... Sipas deklaratave publike, qeveria serbe ka paralajmëruar për dhunë të mundshme. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën nëse është e mundur," rekomandoi ambasada amerikane në Serbi.

"Të dashur bashkatdhetarë! Në lidhje me protestat në Republikën e Serbisë dhe për mbylljen e rrugëve, ne rekomandojmë që qytetarët rusë të shmangin vizitat në vendet e grumbullimit masiv. Kujtojmë gjithashtu domosdoshmërinë e respektimit të ligjeve të Serbisë," thuhet në njoftimin e ambasadës ruse.

Studentët, të mbështetur nga mësuesit dhe qytetarë të thjeshtë, kanë nisur prej fundjavës së kaluar rrugëtimin në këmbë drejt kryeqytetit, të ardhur kryesisht nga Novi-Sadi dhe Subotica. 500 nxënës dhe studentë u nisën nga Nishi në jug, rreth 190 kilometra larg Beogradit. Për të ardhurit janë përgatitur struktura mikpritjeje nga fakultetet dhe shkollat e mesme.

Protestat e studentëve janë nxitur nga tragjedia e 1 nëntorit 2024 në Novi-Sad, ku 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes pjesërisht të çatisë së stacionit hekurudhor.

Studentët kanë katër kërkesa për qeverinë dhe autoritetet: publikimi i të gjitha dokumenteve në lidhje me rinovimin e stacionit hekurudhor nga një ekip kinez; ndjekja penale dhe shkarkimi i personave që dhunuan studentët dhe profesorët, të cilët protestuan rreth tragjedisë; lirimi i studentëve të arrestuar gjatë protestave; rritje me 20 për qind e buxhetit për arsimin e lartë.

Tubimet më shumë se tremujore të studentëve kanë pezulluar në mënyrë të përsëritur rrugët e qyteteve, duke shkaktuar edhe pakënaqësi. Dhjetëra traktorë u parkuan natën midis 13 dhe 14 marsit në qendër të Beogradit në shenjë kundërproteste ndaj bllokadave të përsëritura të studentëve. Një pjesë e protestuesve kanë akuzuar partinë e presidentit Aleksandar Vuçiç për kundërprotestën. /BI, REL

/rtsh.al/