RTSH 24 Live

Botë

SHBA dhe Irani marrëveshje shkëmbimi, 5 të burgosurit amerikanë largohen nga Teherani

18/09/2023

SHBA dhe Irani marrëveshje shkëmbimi, 5 të burgosurit amerikanë largohen nga Teherani

Pesë shtetas amerikanë, të burgosur prej vitesh në Iran po kthehen në SHBA, si pjesë e një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve mes dy vendeve.

Katër burra dhe një grua, të cilët gjithashtu kanë pasaporta iraniane, janë nisur me një avion të Katarit nga kryeqyteti iranian, Teherani.

Lirimi i tyre varej nga transferimi i 6 miliardë dollarëve në fondet iraniane në bankat në Doha, që ishin mbajtur në llogari të kufizuara në Korenë e Jugut, të fituara nga shitja e naftës. Zyrtarët iranianë dhe amerikanë u njoftuan nga Katari të hënën se transferimi kishte ndodhur, duke i hapur rrugë edhe marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve.

Po ashtu, pesë iranianë të burgosur në SHBA pritet të lirohen në të njëjtën kohë si pjesë e shkëmbimit, i cili u ndërmjetësua nga Katari.

Fondet që janë transferuar në llogaritë në Katar do të mund të përdoren vetëm nga Irani për blerje humanitare dhe çdo transaksion do të monitorohet nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së.

Lirimi i të burgosurve përfaqëson një përparim të rëndësishëm diplomatik pas viteve të negociatave të ndërlikuara indirekte midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Kjo marrëveshje vjen pas bisedimeve indirekte të ndërmjetësuara nga Katari, që filluan në shkurt 2022. Ka pasur të paktën nëntë raunde diskutimesh të vështira në Doha me delegacionet amerikane dhe iraniane./ BBC

/rtsh.al/